Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete financiare në shumën e 255 mijë eurove për të financuar blerjen dhe shpërndarjen pa pagesë të librave shkollorë për çdo fillorist shqiptar në Luginës të Preshevës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe të mirëseardhur.
“Në një kohë të krizës ekonomike, kur prindërve shqiptar në Luginë gjendja dhe pozita po i vështirësohet, një hap i tillë nga Qeveria e Kosovës është më shumë se i mirëseardhur, që filloristët shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të ndjejnë dorën e përkujdesit të Republikës së Kosovës. Pas sigurimit të lejeve të teksteve mësimore në gjuhën shqipe për shkollat fillore në Luginë, një veprim i tillë është i rëndësisë së veçantë dhe i përshëndetur nga të gjithë”, ka shkruar Mustafi.
Ai ka falënderuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, për kontributin e tij si dhe për angazhimin për të realizuar “njërit ndër projektet më të mëdha, të realizuara deri më tani në Luginë”./UBTNews/