UBT News

Qeveria e Kosovës ndan 580 mijë euro për shkollën e muzikës dhe muzeun e Preshevës

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë të mërkurën mbi gjysmë milioni euro për mbështetje financiare në bashkëfinancimin e projektit të ndërtimit të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës, komunë e banuar me shumicë shqiptare në Serbi.

Gjatë takimit të kabinetit qeveritar, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se ky vendim erdhi pas kërkesës së Komunës së Preshevës.

Ai tha se kjo kërkesë është bazuar në dakordimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

Bashkëfinancimi i projektit në vlerë prej 580.000 euro nga ana e Kosovës, sipas Çekut, përfaqëson “një ndër investimet më të rëndësishme për jetën kulturore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Siç është thënë më herët nga ekzekutivi kosovar, shteti i Kosovës deri më tani, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka përkrahur 28 projekte të kulturës, ndërsa drejtpërdrejt përmes Ministrisë së Kulturës 21 projekte në Luginën e Preshevës – term që përfshin edhe Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Më 27 qershor janë ndarë gjithashtu 626.400 euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese e avokuese në nivel ndërkombëtar.

Në tetor të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po përpiqet të ndalojë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Reagimi i Bislimit erdhi pasi përfaqësues të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës thanë se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi kishte kërkuar anulimin e thirrjes për subvencionimin e kulturave bujqësore nga fondet e Qeverisë së Kosovës.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj.

Nga ana tjetër, autoritetet zyrtare në Beograd financojnë përmes buxhetit të Serbisë të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Pjesa tjetër e institucioneve të Serbisë në Kosovë është mbyllur gjatë vitit 2024 nga autoritetet kosovare, pasi këto konsiderohen të paligjshme dhe paralele./REL

Exit mobile version