Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen me 26 qershor.
Ai ka thënë se në fokus të këtij takimi do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazike të arritur në Bruksel dhe aneksit të saj, të pajtuar në takimin e Ohrit.
Ky takim është thirrur nga përfaqësuesi i lartë Bashkimit Evropian, Josep Borrell, takim ky i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut.
“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara”, kanë thënë nga Qeveria.
Përfaqësuesit e vendeve perëndimore, ndërkohë, u përpoqën disa herë të bindin Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë hapat për zbatimin e marrëveshjes, por pa rezultat.