Një raport i Parlamentit të Francës për rrjetin social, TikTok, ka rekomanduar të enjten ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare dhe vendosjen e një “orari policor digjital” për të rinjtë e moshës 15 deri në 18-vjeçare, në përpjekje për ta frenuar ndikimin negativ mbi shëndetin e tyre.
“Një ndalim i tillë do të dërgonte një mesazh si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit, se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme para moshës 15-vjeçare”, tha për AFP Laure Miller, raportuese e komisionit parlamentar hetimor.
Komisioni, i ngritur në mars, ka intervistuar familje viktimash, menaxherë të platformave sociale dhe influencerë për të analizuar algoritmin e TikTok-ut, një aplikacion jashtëzakonisht i popullarizuar mes të rinjve, i cili “kopjohet nga rrjete të tjera sociale”, sipas Millerit.
Ai u krijua pas proceseve ligjore kundër TikTok-ut në Francë në fund të 2024, pas një padie nga shtatë familje që akuzuan platformën se ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve që mund t’i nxisin drejt vetëvrasjes.
“Është e vështirë për ne prindërit ta kontrollojmë këtë gjë”, tha për AFP Geraldine, 52-vjeçare, dhe një nga paditëset që kërkoi të mbetej anonime. Ajo humbi vajzën e saj Penelope, 18-vjeçare, në shkurt 2024, e cila kreu vetëvrasje. Më pas, zbuloi se vajza kishte publikuar dhe shikuar në TikTok video me përmbajtje që nxisnin vetëlëndim.
TikTok pretendon se siguria e të rinjve është prioriteti kryesor i kompanisë.
Raporti paralajmëron se, nëse brenda tri vjetësh rrjetet sociale nuk përmbushin detyrimet ligjore, ato të përcaktuara në Rregulloren Evropiane për Shërbimet Digjitale, mund të shkohet deri në ndalimin e përdorimit për personat nën 18-vjeçarë.
Disa vende të BE-së, përfshirë Francën, Spanjën dhe Greqinë, kohët e fundit i kanë bërë thirrje Brukselit për rregullim më të rreptë të platformave online për fëmijët, për shkak të shqetësimeve mbi varësinë, bullizmin digjital dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes.
Menaxherët e TikTok-ut, i cili është pronë e kompanisë kineze ByteDance, theksuan se sistemi i vëzhgimit i bazuar në inteligjencën artificiale ka mundësuar heqjen e 98 për qind të përmbajtjeve që shkelin rregullat e përdorimit në Francë vitin e kaluar.
Përmbajtjet e dëmshme qarkullojnë, duke shkaktuar humbje të vëmendjes, çrregullime të gjumit dhe probleme me vetëvlerësimin. Për të rinjtë 15-18-vjeç, raporti propozon “orë policore digjitale”, sipas së cilës rrjetet bëhen të paqasshme nga ora 22:00 deri në orën 08:00.