Franca ka njoftuar sot planin e ndihmës prej 25 miliardë euro (27.5 miliardë dollarë) për të zbutur pasojat e luftës në Ukrainë që prekin ekonominë dhe konsumatorët.
Kryeministri francez, Jean Castex deklaroi se plani synon të zbusë pasojat afatshkurtra në sektorët më të prekur.
Ndihma do të vihet në dispozicion për kompanitë me konsum të lartë energjie, sektorët që varen nga përdorimi i makinave, peshkatarët dhe bujqësinë.
Skema e qeverisë që mbështet përkohësisht punëtorët për të mbajtur vendet e tyre të punës, e cila tashmë ka dëshmuar vlerën e saj gjatë pandemisë së koronavirusit, do të zgjerohet, duke i ardhur në ndihmë kompanive qe hasin probleme me furnizimin.
Vetëm për sektorin e bujqësisë, është planifikuar një ndihmë ekonomike deri në 400 milionë euro, veçanërisht për rritjen e kostove të ushqimit.
Peshkatarëve do t’u jepet një subvencion prej 35 cent për litër karburant për varkat e tyre, përveç një injeksioni parash të shpallur tashmë nga Shoqata Tregtare e Industrisë së Peshkimit.
Sektori i transportit do të marrë një subvencion prej 1 mijë e 500 eurosh për kamion për kostot e karburantit gjatë katër muajve të ardhshëm. /DPA/