Qeveria e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës në seancën e sotme urgjente e shpalli 18 marsin ditë zie në territorin e këtij entiteti të BeH-së për shkak të zjarrit tragjik në Maqedoninë e Veriut.
“Ky vendim është marrë me qëllim të shprehjes së ngushëllimit për familjet e viktimave të tragjedisë që ndodhi më 15 mars 2025 në Koçani të Maqedonisë së Veriut, ku së paku 59 persona humbën jetën nga zjarri“, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Federatës së BeH-së.
Dita e zisë shënohet me vendosjen e detyrueshme të flamurit të BeH-së në gjysmështizë, përkatësisht në ndërtesat e autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, institucioneve publike, institucioneve dhe subjekteve të tjera juridike në territorin e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Në ditën e zisë, programet me karakter kulturor dhe argëtues nuk mund të mbahen në vende publike në Federatën e BeH-së ndërsa shtëpitë mediatike në territorin e Federatës së BeH-së janë të detyruara të harmonizojnë dhe përshtatin përmbajtjen e tyre programore me ditën e zisë.
Kujtojmë se të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani.