Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të cilët i ka siguruar se Qeveria në detyrë do të ndajë paga shtesë edhe për punëtorët e arsimit.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Hoti i ka siguruar ata që pagesa shtesë për punëtorët e arsimit do të kryhet në dy këste.
“Këstin e parë do ta marrin me pagën e muajit shkurt, ndërsa këstin e dytë me pagën e muajit maj. Për shumën e pagës shtesë, Ministria e Arsimit, SBASHK-u dhe Ministria e Financave do të dakordohen në përputhje me mundësitë buxhetore”, thuhet në njoftim.
Mes tjerash bëhet e ditur se në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ai ka biseduar edhe për kontratën e re kolektive, e cila pritet të finalizohet këtë të premte.
I pari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ditë më parë kishte paralajmëruar grevë nëse nuk u paguhen shtesat nga 100 euro./UBTNews