UBT News

Qeveria do të aplikojë për asistencë teknike të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor

Nën kryesimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e pestë e Komisionit për Planifikim Strategjik, ku është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për aplikim në kuadër të rundit 26-të të asistencës teknike të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF), për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial dhe privat.

Me këtë rast, kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se përgjegjësia e Komisionit për Planifikim Strategjik është drejtimi i procesit të Kornizës Kombëtare të Planifikimit dhe Menaxhimit Strategjik në Kosovë, ku mes tjerash ka përgjegjësi edhe shqyrtimin e prioriteteve për investime publike, listën e prioriteteve infrastrukturore dhe aplikacioneve për projekte.

“Propozimi i sotëm për shqyrtim dhe miratim nga ana jonë, është projekti ‘Masat e efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial dhe privat’. Ky projekt propozim nuk është në Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore, mirëpo në bazë të diskutimeve të Departamentit të Bashkëpunimit për Zhvillim të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, konsiderohet i arsyeshëm për aplikim për financim në kuadër të rundit të 26-të për asistencë teknike të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, u shpreh kryeministri Kurti.

Zyra e Kryeministrit obligohet për të koordinuar procesin e finalizimit dhe dorëzimit të aplikacionit me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në pajtim me kriteret dhe metodologjinë e përcaktuar në kuadër të thirrjes për aplikime në rundin 26-të të asistencës teknike dhe rundin 6-të të granteve investuese të WBIF.

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin e pestë të Komisionit për Planifikim Strategjik:

I nderuar Zëvendëskryeministër i parë, z. Besnik Bislimi,

I nderuari Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati

E nderuar Ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuar Ministër i Mjedisit, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,

I nderuar zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë, z.Mentor Arifaj,

Të nderuar pjesëmarrës,

Si kryesues i Komisionit për Planifikim Strategjik, e kam ftuar mbledhjen e pestë për shqyrtimin dhe miratimin e propozimit të Ministrisë së Ekonomisë, për aplikim në rundin 26-të të asistencës teknike të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (ËBIF).

Komisioni për Planifikim Strategjik është trup qeveritar që udhëhiqet nga Kryeministri, me anëtarë të përhershëm, Zëvendëskryeministrin e parë, Ministrinë e Financave dhe Drejtorin e Zyrës për Planifikim Strategjik, si anëtarë pa të drejtë vote.

Përgjegjësia e Komisionit për Planifikim Strategjik është drejtimi i procesit të Kornizës Kombëtare të Planifikimit dhe Menaxhimit Strategjik në Kosovë, ku mes tjerash ka përgjegjësi edhe shqyrtimin e prioriteteve për investime publike, listën e prioriteteve infrastrukturore dhe aplikacioneve për projekte, si kjo pikë që do ta diskutojmë sot.

Propozimi i sotëm për shqyrtim dhe miratim nga ana jonë, është projekti “Masat e efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial dhe privat”. Ky projekt propozim nuk është në Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore, mirëpo në bazë të diskutimeve të Departamentit të Bashkëpunimit për Zhvillim të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, konsiderohet i arsyeshëm për aplikim për financim në kuadër të rundit të 26-të për asistencë teknike të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (ËBIF).

Prandaj, për të dhënë më shumë detaje lidhur me propozimin, e ftoj Ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, që ta marrë fjalën.

Exit mobile version