Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përgatit organizimin e fluturimeve çarter nga Izraeli për të ndihmuar qytetarët britanikë në zonë, ndërsa situata në rajon po përkeqësohet.
Sipas një njoftimi të Downing Street, qytetarëve britanikë u është kërkuar që të regjistrojnë praninë e tyre pranë Ministrisë së Jashtme për të qëndruar në kontakt me autoritetet dhe për të marrë udhëzime të mëtejshme lidhur me fluturimet.
PA Media raporton se qeveria po bashkëpunon ngushtë me autoritetet izraelite për të organizuar transportin jashtë rajonit, sapo hapësira ajrore të rihapet. Kryeministri Sir Keir Starmer ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike mes palëve në konflikt.
“Ne këshillojmë qytetarët britanikë që të vazhdojnë regjistrimin në Izrael dhe Territoret e Pushtuara Palestinase, për të qenë të kontaktueshëm dhe për udhëzime të mëtejshme mbi fluturimet,” tha një zëdhënës i qeverisë.
Sekretari i Jashtëm pritet të bëjë njoftimin zyrtar për organizimin e fluturimeve çarter nga aeroporti i Tel Avivit në ditët në vijim.