Britania ka një marrëdhënie tregtare “të drejtë dhe të balancuar” me SHBA-në, ka thënë një zëdhënës i qeverisë.
Sipas mediave të huaja, pasi presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi se ai është gati të zgjerojë regjimin e tij tarifor si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në BE, ka pasur frikë rreth perspektivës së afërt të një lufte tregtare.
Duke folur për njoftimin, zëdhënësi i qeverisë tha: “SHBA është një aleat i domosdoshëm dhe një nga partnerët tanë më të afërt tregtar dhe ne kemi një marrëdhënie tregtare të drejtë dhe të ekuilibruar nga e cila përfitojnë të dyja anët e Atlantikut.
“Ne presim të punojmë ngushtë me Presidentin Trump për të vazhduar ndërtimin e marrëdhënieve tregtare MB-SHBA për ekonominë, bizneset dhe popullin britanik”, tha ai më tej, shkruan A2 CNN.
Trump ka thënë se tarifat për importet nga Evropa po vijnë dhe nuk përjashtoi vendosjen e tarifave për mallrat e Mbretërisë së Bashkuar, por gjithashtu tha se situata me Britaninë “mund të zgjidhet”.