UBT News

Qeveria britanike do të lëshojë viza të përkohshme për 800 kasapë

Qeveria britanike ka njoftuar se do të lëshojë viza pune për 800 kasapë të huaj për therjen e derrave para Krishtlindjeve.

Ministri Britanik i Mjedisit, Ushqimit dhe Bujqësisë, George Eustice, në një deklaratë tha se 800 kasapëve të huaj do t’u jepen viza pune për të punuar në thertoret e derrave për të përmbushur kërkesën në rritje për mish para Krishtlindjeve.

“Ajo që ne do të bëjmë është të lejojmë kasapët dhe therësit e derrave të vijnë përkohësisht në vend deri në gjashtë muaj si pjesë e programit të punëtorëve sezonalë. Dhënia e kësaj leje do të na ndihmojë të merremi me grumbullimin e derrave në ferma tani”, tha Eustice.

Ministri Eustice deklaroi se shumë qytetarë të BE-së që punonin në kujdesin dhe therjen e derrave në Britani shkuan në vendet e tyre për shkak të pandemisë dhe nuk u kthyen.

Sipas të dhënave të Shoqatës Britanike Kombëtare për Kujdesin e Derrave, numri i derrave që presin të theren në vend është rreth 120.000.

Pas Brexit-it, vendi ka përjetuar probleme furnizimi dhe prodhimi në shumë sektorë, veçanërisht në transport, për shkak të mungesës së personelit të kualifikuar.

Ekspertët thonë se numri i përgjithshëm i shoferëve të transportit në Mbretërinë Bashkuar është rreth 100.000 më pak se sa nevojitet aktualisht.

Thuhet se produktet e importuara në vend tashmë kanë filluar të grumbullohen në porte dhe shpërndarja e logjistikës nuk mund të bëhet në mënyrë efektive.

Maersk, kompania më e madhe në botë e transportit të kontejnerëve, deklaroi se Felixstowe, një nga portet e rëndësishme të vendit, është plot me kontejnerë për shkak të krizës së transportit, kështu që anijet e mëdha të ngarkesave janë dërguar në portet alternative.

Sipas të dhënave nga ONS, gjatë dy javëve të fundit, një në çdo gjashtë konsumatorë në vend nuk mund të arrijë në produktet bazë ushqimore, ndërsa 25 për qind e konsumatorëve nuk mund të sigurojnë produkte të tjera përveç ushqimit.

Sipas deklaratës së bërë nga Shoqata Britanike e Shitësve me Pakicë të Naftës (PRA) më 12 shtator, thuhet se dhjetë për qind e stacioneve të benzinës në kryeqytetin Londër dhe rajonin juglindor të vendit nuk kanë karburant.

Qeveria britanike njoftoi muajin e kaluar se 5.000 drejtuesve të automjeteve të rënda dhe 5.500 punonjësve të sektorit të shpendëve nga jashtë do t’u jepen viza të përkohshme për tre muaj./AA/

Exit mobile version