Ka të ngjarë se shumë shpejt në Belgjikë do të punohet katër ditë në javë, teksa qeveria pritet të dalë në një deklaratë brenda kësaj javë, konfirmoi për Euronews një zëdhënës i qeverisë.
Të enjten, zëdhënësi i ministrit të Punës dhe Ekonomisë Pierre-Yves Dermagne tha për Euronews se ‘propozimet e bëra janë duke u diskutuar me qeverinë federale belge’ në kuadër të një programi për reformimin e tregut të punës.
‘Do të ketë më shumë sqarime mbi propozimin të hënën ose të dielën’, tha zëdhënësi i ministrit.
Për Dermagne, java me katër ditë pune është ‘çështje themelore’ pasi pandemia nxiti ndryshime të mëdha mbi situatën në punë të shumë qytetarëve, shtoi zëdhënësi.
Katër ditë në javë në 2022?
Pasi të kenë rënë dakord mbi propozimin, qeveria federale e Belgjikës do të punojë mbi detajet së bashku me përfaqësues të industrisë dhe të sindikatave.
Procesi pritet të zgjasë të paktën gjashtë muaj, sipas parashikimeve, përpara se t’i nënshtrohet procesit politik, çka nënkupton dhe kthimin e tij në ligj.
Megjithatë, qeveria nuk ka për qëllim që puna me vetëm katër ditë në javë të jetë e detyrueshme.