Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marr vendim për rritjen prej 20 për qind të pensioneve të kategorive të dala nga lufta.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se të gjitha pensionet e kategorive të dala nga lufta do të rriten për 20 për qind.
Ndërsa ato familje të cilat kanë më shumë se një person, do të rritet përtej 20 për qind.
Murati, ka theksuar se rritje do të ketë edhe kategoria e veteranëve të luftës dhe viktimat e dhunës seksuale me 20 për qind mbi shumën aktuale.
“Do të rriten pensionet familjare për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, duke filluar nga familja që ka një dëshmorë do të jetë 20 për qind, dy apo më tepër dëshmorë rritja do të jetë përtej 20 për qind. Ngjashëm do të jetë edhe për pensionet për familjet e të zhdukurve të UÇK-së. Edhe pensionet invalidore për invalidët e UÇK-së do të rriten të gjitha kategoritë mbi 20 për qind, si dhe shtesat dhe përkujdese për ndihmë për invalidët e UÇK-së. Edhe pensionet familjare pas vdekjes së invalidit të UÇK-së do të ketë rritje prej 20 për qind. E njëjta është edhe te familjet e të zhdukurve civilë, si dhe edhe pensionet invalidore personale për invalidë civilë të luftës, të gjitha kategoritë do rriten me 20 për qind. Vlen të theksohet se rritje do të ketë edhe kategoria e veteranëve të luftës prej 20 për qind si dhe viktimat e dhunës seksuale me 20 për qind mbi shumën aktuale”, tha Murati.
Po ashtu, ekzekutivi Kosovar ka ndarë 100 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen juridike për familjarët e veprimtarit, Enver Hadri.
“Rasti në çështjen penale ndaj të akuzuarve nga Serbia për vrasjen e aktivistit të njohur, Enver Hadri ka filluar dje në Gjykatën Penale në Bruksel dhe si i tillë ka rëndësi historike për vendin. Për rastin e tillë drejtësia e Belgjikës tashmë ka vërtetuar se tashmë Jugosllavia përkatësisht Serbia me shërbimin e saj sekret kanë vrarë veprimtarinë e çështjes kombëtare, Enver Hadrin duke dënuar të tre të akuzuarit serb”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Lyra Osmani mori mbështetjen e kabinetit qeveritar si Inspektore e Përgjithshme e Zyrës së Kryeministrit. Ndërsa, Avni Kastrati është emëruar drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.