Sot, u bënë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë të Skenderajt, në 24-vjetorin e masakrës, ku janë vrarë 147 persona, gjashtë prej të cilëve ende të zhdukur.
Xhevdet Qeriqi nga Organizatat e dala nga lufta u shpreh se në Izbicë dëshmohet që Serbia ka dashur të shfarosë qytetarët e Kosovës.
Për krimet e kryera, Qeriqi tha se duhet të gjykohet dikush dhe jo që padrejtësisht të gjykohen luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Këtu dëshmohet që Serbia ka qenë e vendosur që me çdo çmim ta çfarosë popullin shqiptar. Është një vend i sakrificës, i vuajtjes, një vend ku janë masakruar edhe fëmijë deri në moshën njëvjeçare, pleq, fëmijë, gra. Kështu që, për këtë krim duhet të gjykohet dikush, e jo padrejtësisht të akuzohen e gjykohen luftëtarët e UÇK-së”, u shpreh ai.
Qeriqi shpreson që shumë shpejt ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.
“Normalisht duke pasur parasysh se vet ishin udhëheqës të luftës së UÇK-së edhe sot jemi të lirë falë sakrificës, angazhimit të tyre bashkë me shumë luftëtarë të UÇK-së kemi ardhur në këtë ditë. Është me të vërtetë një zbehje, por do të shpresojmë dhe do të besojmë që shumë shpejt edhe ata do t’i kthehen Kosovës të lirë”, tha ai.
Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu u shpreh se masakra e Izbicës është dëshmi e gjallë se çka ka ndodhur aty në vitin 1999.
Ajo potencoi se Kosova duhet të jetë krenare me të kaluarën e saj.
“Sot jemi këtu për të kujtuar 147 të rënët në Izbicë. Kjo është një dëshmi e fortë dhe një fakt i gjallë se çka ka ndodh këtu në vitin 1999… Ende kemi varre të zbrazëta, që familjarët i presin më të dashurit e tyre. Askush s’ka dhanë përgjigje për ta. Prandaj, populli i Kosovës duhet të jetë krenar me të kaluarën e vet. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në veprimet që bëjnë, në vendimet që marrin, sepse ky vend ka dhanë shumë, liria ka kushtu shumë dhe ne kemi obligim që gjakun që është derdh për këtë vend mos ta lajmë asnjëherë të jetë gjak i humbur”, u shpreh ajo.
Musliu tha rëndesa e dhimbjes është dhumë e madhe pasi ish-krerët e UÇK-së gjenden në Hagë. Ajo tha se ata kanë bërë përpjekje maratonike për të mbrojtur popullsinë civile nga agresori serb dhe për të ndalur gjenocidin në Kosovë.
“Është e tmerrshme kur i sheh çlirimtarët në Hagë, ndërsa kriminelët të lirë nëpër Serbi dhe është e pafalashme që Gjykata Speciale sot i dënon çlirimtarët në emër të popullit, në emër të cilit popull, në emër të kujt i dënon? Cili popull i dënon çlirimtarët e vet. Prandaj, konsideroj që bota të reflektojë mbi atë se çka ka ndodhë”, tha ndër të tjera ajo.
Sot, janë bërë 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, kanë veçuar 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i kanë vrarë dhe masakruan, ndërsa pjesën tjetër e kanë dëbuar jashtë Kosovës.
Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore është bërë lajm botëror. 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk ka dalë para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.