UBT News

​Qëndrim Januzi dënohet me 17 vjet burgim për vrasje në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Q.J., për shkak të veprave penale vrasja nga neni 172; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata Themelore në Ferizaj nëpërmjet një komunikate, thekson se përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin Q.J., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi për veprën penale vrasja nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtëmbëdhjetë vjet, si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një vit e gjashtë muaj.

“Konform nenin 76 të KPRK-së, trupi gjykues të pandehurit i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej shtatëmbëdhjetë vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Konform nenin 366 paragrafi 1 nën paragrafi 1 të KPP-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet në komunikatë.

Sipas aktakuzës, më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.

Exit mobile version