UBT News

Qendrës për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Podujevë i shtohen edhe shtatë shtretër

Qendrës për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Podujevë i shtohen edhe shtatë shtretër edhe dy bombola të oksigjenit.

Komuna e Podujevës njofton se janë siguruar edhe medikamente mjekësore të nevojshme.

“Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me drejtoreshën për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Egzona Mustafa, ka vizituar sot Qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ku janë shtuar kapacitetet kësaj qendre edhe me shtatë shtretër dhe dy bombola me oksigjen”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna njofton se kjo qendër tash ka një hapësirë dhe ambient më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor.

“Katër shtretërve, që kishte për trajtimin e pacientëve me Covid-19, tashmë i janë shtuar edhe shtatë të tjerë, duke çuar në 11 numrin e tyre. Gjithashtu, Qendra për trajtimin e pacientëve me Covid-19 është pajisur edhe me dy bombola të tjera të oksigjenit dhe janë siguruar edhe medikamente mjekësore të nevojshme”, njofton më tej komuna.

Kryetari Bulliqi edhe gjatë vizitës së sotme tha se prioritet kryesor i angazhimeve të tij në sektorin e shëndetësisë do të jetë krijimi i kushteve sa më të mira për pacientët që janë të prekur me COVID-19, të cilët kërkojnë trajtim në këtë qendër.

Krahas furnizimit me shtretër dhe bombola të oksigjenit, në bazë të kërkesës së stafit mjekësor, kryetari Bulliqi ka siguruar edhe një automjet shtesë për nevojat e kësaj qendre dhe ka angazhuar një vozitës nga administrata komunale, që do të jetë në dispozicion të kësaj qendre./UBTNews

Exit mobile version