Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar fillimin e projektit të rikonstruksionit të Qendrës Rinore, një prej objekteve monumentale të komunës, e njohur si “Shtëpia e Përshpirtshme”. Ky projekt ambicioz po realizohet me një investim prej mbi 600 mijë euro nga Ministria e Kulturës, dhe synon të kthejë këtë qendër në një hapësirë moderne dhe funksionale për rininë dhe kulturën lokale.
Punimet e rikonstruksionit tashmë janë në fazën fillestare, dhe sipas kryetarit Aliu, do të përfshijnë një rikonstruksion rrënjësor që do të krijojë ambiente të reja bashkëkohore për rininë. Qendra Rinore do të ofrojë hapësira të përshtatshme dhe të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve edukative, kulturore dhe sociale për të rinjtë, organizatat joqeveritare dhe klubet sportive në komunë.
“Gëzohem që sot, së bashku me bashkëpunëtorë dhe të rinj të talentuar, mund të vizitoj punimet në fazën fillestare të Qendrës Rinore. Ky projekt do të sigurojë zyra moderne për OJQ-të dhe klubet sportive, duke nxitur përfshirjen e qytetarëve në aktivitete sociale dhe sportive,” u shpreh kryetari Aliu.
Projekti është shfaqur si një shenjë e përkushtimit të qeverisë lokale për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për të siguruar ambiente të reja që nxisin ndjenjën e bashkësisë dhe solidaritetit në Shtime. Aliu përfundoi duke theksuar vazhdimin e investimeve për të rinjtë dhe për të ndihmuar në zhvillimin e komunitetit të tyre./UBTNews/