Kushtet në një qendër të mbipopulluar emigrantësh në Kent janë të ngjashme me të jetuarit në një burg apo kopsht zoologjik, ka thënë një azilkërkues për BBC.
Ahmed (s’është emri i tij i vërtetë) tha se njerëzit në këtë qendër të emigrantëve po trajtohen si “kafshë”, ku 130 njerëz janë të detyruar të ndajnë një tendë të vetme. Mbi 4 mijë emigrantë thuhet po mbahen në kampe. Ndërsa Home Office thotë se po ua siguron “të gjitha nevojat themelore” emigrantëve.
Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick insiston se numri i njerëzve në Manston po zvogëlohet. Ahmedi – i cili u largua nga qendra të hënën pas 24 ditësh qëndrimi aty – tregoi se ishte i detyruar të flinte në dysheme dhe nuk i ishte lejuar të shkonte në tualet, të bënte dush ose të dilte jashtë për stërvitje.
Ai tha për BBC se u largua nga vendi i tij i lindjes, Irani në kërkim të lirisë dhe për të shmangur persekutimin, duke thënë se kishte jetuar me frikë qe sa kohë. Por pasi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar dhe në qendër, Ahmed tha se njerëzve nuk iu lejua të telefonojnë familjet e tyre.
Manston, një ish-bazë ushtarake në Kent, u hap si qendër në muajin shkurt për numrin në rritje të emigrantëve që po arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Emigrantët do të mbahen atje në periudha të shkurtra kohore, ndërsa i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe identitetit./UBTNews/