Qelaj në konferencën e fund vitit, adresoi si shqetësim rënien e zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
“Ne jemi duke shikuar mundësinë e nënshtrimit të vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit për zgjedhje në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike. Logjikisht dhe në aspektin praktik, Avokati i Popullit konsideron se është e domosdoshme. Ju e dini se Ligji për zgjedhje ka kaluar në seancë pa ndonjë si të themi diskutim publik që kishte me i shtjerr të gjitha diskutimet në lidhje me temat që mund të jenë konsensuse. Në anën tjetër ka pasur një konsensus politik sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për me kalu si ligj. Ligji ka kaluar pa i përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta, e ai është Ligji për barazi gjinore”, tha ai.
Avokati i Popullit bëri të ditur se gjatë vitit 2023, kanë pranuar mbi 1500 ankesa nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme.
Ai bëri të ditur edhe mungesën e komunikimin me homologun e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Prej se kam mandat si Avokat i Popullit nuk kam pasur komunikim të duhur me Avokatin e Popullit të dhomave të specializuara. Në fillim të vitit 2021 kam pasur një komunikim me të njëjtin, ai ka qenë online për shkak të masave të pandemisë, kam kërkuar të takojë në Hagë, por më është thënë se nuk ndodhet në Hagë dhe deri sot nuk kam komunikim atë. Në lidhje me atë se a paraqet dhe a cenon të drejtat e njeriut masa për kufizim të vizitave, unë besoj se mbi bazën e përgjegjësive që kam që të drejtat minimale që duhet t’i ketë një i burgosur gjatë kohës sa mbahet në burg janë të rëndësishme dhe domosdoshme me u respektu. Cenimi i privatësisë së vizitave për mua paraqet problem dhe shqetësim”, theksoi Qelaj.
Krahas kësaj, Qelaj tha gjatë vitit 2023, kanë dërguar pesë raste në Gjykatën Kushtetuese, derisa tha se kanë hetuar 47 tekste mësimore për të evituar përmbajtjen e gjuhës së urrejtjes.