Policia e Kosovës së bashku me zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të katër komunave veriore, sot (e martë) do të shkojnë në zyrat komunale.
Kështu u tha në mbledhjen e së hënës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku u bë e ditur se ende nuk kanë pranuar plan operativ nga Policia e Kosovës.
“Sot jemi takuar me policinë dhe plani është që zyrtarët tanë së bashku me policinë të shkojnë nëpër zyrat tona komunale të veriut. Planin operacional për këtë aktivitet e bën policia së bashku me sekretariatin dhe mbetet të shihet se sa kemi pasur mundësi që të kemi qasje në zyrat tona dhe sa do të kemi qasje në vendvotime në veri edhe mbetet të shihet në ditëve në vijim”, ka deklaruar kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka treguar hapat që janë ndërmarrë për të ofruar siguri për zyrtarët komunal për zgjedhjet e 18 dhjetorit në katër komunat veriore.
“Me qëllim të funksionalizimit të këtyre zyrave, ashtu siç është dakorduar KQZ në mbledhje, i kemi dërguar shkresën Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, si dhe Ministrisë së Arsimit, prej të cilave kemi kërkuar vlerësimin e situatës dhe ofrimin e sigurisë për zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe katër komisioneve komunale të zgjedhjeve në secilën prej tyre. Funksionalizimi i komisioneve komunale zgjedhore është i domosdoshëm në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sepse këto komisione kryejnë disa detyra të rëndësishme të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë Ahmetaj.
Këto zyra vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të sigurisë dhe zyrtarët po kryejnë detyrat e tyre nga komunat ku veprojnë.