Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, deklaroi se ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës mund të tejkalohet nëse partia me më së shumti ulëse propozon një kandidat tjetër që të jetë i pranuar nga spektri politik.
“Problemi në Kuvend mund të zgjidhet në momentin që partia fituese propozon dikë tjetër, që të jetë i pranueshëm për partitë e tjera. PDK-ja ka dhënë propozimet e veta dhe po punon që të evitojë një situatë ku kandidati i propozuar nuk do të përfaqësonte unitetin e nevojshëm dhe nuk do të ishte i pranueshëm si kryetar i parlamentit,” tha Qalaj pak para vazhdimit të seancës së 34-të konstituive.