Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e të gjitha procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e paraqitura nga kandidatët për deputetë, Bekim Haxhiu nga PDK-ja dhe Qëndrim Kryeziu nga LDK-ja, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave.
Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë vlerësuar si të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është njoftuar me vendimet, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.
Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë. /A.K/
