Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 4 mijë e 500 euro Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas ankesave të parashtruara nga organizata jo qeveritare BIRN dhe Internews Kosova dhe Lëvizja Vetëvendosje kundër këtij subjekti.
Në vendimin e marrë ndaj ankesës Anr.644/2021 të parashtruar nga BIRN dhe Internws Kosova, LDK-së dega në Lipjan i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 2 mijë e 500 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, me rastin e promovimit të subjektit politik dhe kandidatit duke përdorur, ekspozuar personat nën moshën 15-vjeçare, me qëllim të përfitimit elektoral në fushatë zgjedhore dhe në thyerjen e heshtjes zgjedhore në zgjedhjet lokale 2021, të mbajtura më datë 17.10.2021.
“Detyrohet subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës me seli në Lipjan, që gjobën e shqiptuar si në pikën I të dispozitivit të këtij vendimi ta paguaj në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi, nën kërcënim të shqiptimit të dënimit shtesë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Ankesa tjetër me numër Anr.634/2021 e cila është parashtruar nga LVV ndaj LDK-së është aprovuar gjithashtu nga PZAP.
Sipas vendimit, LDK-ja është dënuar me gjobë prej 800 euro për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore në rrjetet sociale për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021.
Ankesa tjetër e LVV-së e parashtruar ndaj LDK-së gjithashtu është pranuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Vendimi i PZAP-së ndaj ankesës me numër Anr.625/2021 ka dënuar LDK-në me gjobë prej 1 mijë e 200 euro në emër të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politik- thyerje e heshtjes zgjedhore përmes rrjeteve sociale.
LDK detyrohet të paguajë këtë gjobë në afat prej 15 ditëve.