Mijëra koreano-veriorë duke brohoritur “mirë se erdhe Putin” u rreshtuan në bulevardet e Phenianit duke valëvitur flamujt e Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe me buqeta me lule të mërkurën, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin nisi vizitën e tij të parë në Korenë e Veriut në 24 vjet.
Putin u prit me një ceremoni madhështore nga homologu i tij, Kim Jong Un, në sheshin Kim Il Sung në zemër të kryeqytetit të Koresë së Veriut. Putin dhe Kim prezantuan delegacionet e tyre dhe qëndruan së bashku teksa intonohej himni kombëtar rus.
Putin zbarkoi në Korenë e Veriut në orët e hershme të së mërkurës me orë lokale për një vizitë të rrallë, duke paralajmëruar përafrimin e raporteve mes dy vendeve përballë armiqësisë së përbashkët ndaj Perëndimit dhe shqetësimeve ndërkombëtare për rritjen e bashkëpunimit të tyre ushtarak./UBTNews/