UBT News

Putini zotohet se do të rrisë prodhimin e armëve dhe të fuqizojë forcat e armatosura

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka quajtur ushtrinë ruse një garantues të stabilitetit kombëtar dhe ka premtuar se do të rrisë prodhimin e armëve gati një vit pas fillimit të ofensivës në Ukrainë.

“Një ushtri dhe marinë moderne, efikase janë një garanci e sigurisë dhe sovranitetit të vendit, një garanci e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ardhmes së tij”, tha Putin në një videofjalim me rastin e festës vjetore “Dita e Mbrojtësit të Atdheut” në Rusi.

“Kjo është arsyeja pse, si më parë, ne do t’i kushtojmë vëmendje prioritare fuqizimit të aftësive tona mbrojtëse”, shtoi ai në prag të përvjetorit të parë të ofensivës së Moskës në Ukrainë.

“Tani industria jonë po rrit me shpejtësi prodhimin e një game të tërë armësh konvencionale”, tha ai në videon e publikuar nga Kremlini.

Presidenti rus gjithashtu përshëndeti ushtarët rusë, të cilët po luftojnë heroikisht në Ukrainë dhe siç tha ai “po mbrojnë popullin tonë në tokat tona historike”.

“Uniteti i pathyeshëm i Rusisë është çelësi i fitores sonë”, tha ai në fund./UBTNews/

Exit mobile version