Pasi ushtria ukrainase dhe forcat separatiste pro-ruse shkëmbyen akuza për bombardime në pjesën lindore të vendit të enjten, ish-oficerja e inteligjencës dhe tani bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings, Fiona Hill tha për FRANCE 24 se ajo beson se Putini po kërkon “një element surprizë operacionale, kur ai mund të kapë [Perëndimin] në befasi”.
“Ne kemi qenë shumë të shqetësuar… se mund të ketë një lloj preteksti për shpërthimin e një konflikti dhe më pas një pushtim të mundshëm rus. Nëse shikojmë prapa në vitin 2008, kur Rusia hyri në Gjeorgji… ajo gjithashtu filloi me diçka të tillë: granatimet që vinin nga zona separatiste e Osetisë Jugore drejt pjesës tjetër të Gjeorgjisë, kthimi i zjarrit nga gjeorgjianët, dhe më pas, ne kishim pushtimin e rusëve në Gjeorgji”, tha Hill, e cila ishte një oficere e intelegjencës amerikane për çështjet e Rusisë dhe Euroazisë përpara se të shërbente në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, sa herë që ka një incident si [granatimet e së enjtes], të jemi shumë të sigurt se çfarë po ndodh, të marrim informacione të plota dhe të sigurohemi që të mos jetë atëherë shenja paralajmëruese për një lëvizje ushtarake ruse” shtoi Hill.
Në përgjigje të një pyetjeje nga komentatori i çështjeve ndërkombëtare të FRANCE 24, Douglas Herbert, se kur mund të veprojë Putin dhe kush mund ta ndalojë atë, Hill u përgjigj, “Ajo që [Putini] dëshiron të ketë tani është surprizë operacionale, ne e kemi kaluar tashmë afatin e 16 shkurtit , kur pritej të bënte diçka…kështu që ai po kërkon, sërish, atë element të befasisë operacionale, kur mund të na zërë në befasi”./UBTNews/