Presidenti rus Vladimir Putin përsëriti se veprimet e Moskës nuk kanë të bëjnë fare me krizën e afërt energjetike dhe ushqimore në botë dhe fajësoi sërish politikat ekonomike dhe financiare të Perëndimit për krijimin e një skenari të tillë.
Zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë të energjisë thanë për CNN se janë të shqetësuar se pushtimi i Ukrainës nga Rusia pas viteve të investimit në sektorin e energjisë e ka çuar botën në një krizë që do të rivalizojë, apo edhe do t’i tejkalojë, krizat e naftës të viteve 1970 dhe fillimit të viteve 1980.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka fajësuar pushtimin e Rusisë për rritjen e çmimeve dhe mungesën e furnizimit global të ushqimit.
Në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror Rossiya-1, të transmetuar të dielën, lideri rus fajësoi Shtetet e Bashkuara për “injektimin e shumave të mëdha parash” në ekonominë e saj si një mjet për të luftuar pasojat e pandemisë së koronavirusit, që çoi në inflacion dhe në një “situatë të pafavorshme në tregun ushqimor, sepse para së gjithash u rritën çmimet e ushqimeve”.
Putin gjithashtu fajësoi “politikën dritëshkurtër të vendeve evropiane, dhe mbi të gjitha Komisionit Evropian, në sektorin e energjisë” si një arsye tjetër për krizën në tregun e ushqimit dhe energjisë.
“Ndër të tjera, evropianët nuk dëgjuan kërkesat tona urgjente për ruajtjen e kontratave afatgjata për furnizimin me të njëjtin gaz natyror në vendet evropiane, dhe ata gjithashtu filluan (ndërprerjen e kontratave)… Kjo pati një ndikim negativ në Tregun evropian të energjisë, çmimet u rritën. Rusia nuk ka të bëjë asgjë me këtë”, tha ai.
Sapo çmimet e gazit u rritën, çmimet e plehrave “u rritën menjëherë, sepse disa nga këto plehra prodhohen, duke përfshirë edhe gazin. Gjithçka është e ndërlidhur”, shtoi Putin.
“Por ne paralajmëruam për këtë dhe kjo nuk ka të bëjë me ndonjë operacion ushtarak të Rusisë”, tha Putin.
Kremlini tha javën e kaluar se Moska është e gatshme të japë një “kontribut të rëndësishëm” për të shmangur krizën ushqimore përmes eksportit të drithërave dhe plehrave, nëse Perëndimi heq “kufizimet e motivuara politikisht” ndaj Rusisë./UBTNews/