Presidenti rus, Vladimir Putin, tha sot se ai dëshiron bisedime “të menjëhershme” me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n mbi garancitë e sigurisë. Deklarata vjen teksa tensionet midis Moskës dhe Perëndimit po rriten sa i përket çështjes së Ukrainës, përcjell UBT News.
SHBA dhe aleatët e saj kanë akuzuar për javë të tëra Rusinë për planifikimin e një pushtimi të fqinjit të saj, Ukrainës, duke paralajmëruar sanksione masive nëse Putini do të nisë ndonjë sulm.
Dhjetëra mijëra trupa ruse janë vendosur pranë kufijve të Ukrainës, ndërsa Perëndimi ka akuzuar Kremlinin për mbështetjen e separatistëve pro-rusë që nga viti 2014.
Në një telefonatë me presidentin finlandez, Putin tha se donte që bisedimet e sigurisë të fillonin pa ndonjë vonesë.
Ai i tha presidentit Sauli Niinsto se Moska dëshiron “të nisë menjëherë negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në mënyrë që të zhvillohen garanci ligjore ndërkombëtare për sigurinë e vendit tonë”.
Kërkesat e Rusisë, tha ai, përfshinin ndalimin e NATO-s nga zgjerimi në lindje dhe shpërndarjen e armëve në shtetet fqinje, përfshirë Ukrainën.
Putin përsëriti të njëjtat kërkesa në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron të martën.
Ndërsa, në telefonatën e tij me presidentin finlandez, Putin akuzoi gjithashtu udhëheqjen ukrainase se po përdor gjithnjë e më shumë “armë të rënda dhe drone sulmuese” kundër rebelëve pro-rusë në lindjen e saj separatiste.
Udhëheqësi rus mohon planifikimin e ndonjë pushtimi, duke fajësuar aleancën perëndimore të sigurisë për rritjen e tensioneve dhe duke kërkuar “garanci ligjore” që aleanca nuk do të zgjerohet drejt lindjes./UBTNews/