Presidenti rus Vladimir Putin shpalli përpjekjet e forcave ruse për të kapur Mariupolin një “sukses”, por urdhëroi forcat ruse të ndalojnë jashtë fabrikës së çelikut Azovstal të rrethuar të qytetit dhe ta bllokojnë atë ‘në mënyrë që as edhe një mizë të mos mund të kalojë’.
Forcat ukrainase mbajnë ende fabrikën Azovstal në qytetin port juglindor dhe Shoigu i tha Putinit se forcave ruse do t’u duheshin tre ose katër ditë për të marrë nën kontroll fabrikën.
Putin më pas tha se forcat ruse “duhet të mendojnë … për ruajtjen e jetës dhe shëndetit të ushtarëve dhe oficerëve tanë”, duke shtuar se:
“Nuk ka nevojë të ngjitesh në këto katakomba dhe të zvarritesh nën tokë nëpër këto objekte industriale. Bllokojeni këtë zonë industriale që as edhe një mizë të mos mund të kalojë”.
Putin tha se Rusia do t’u ofrojë mbrojtësve ukrainas që janë ende në uzinë një mundësi të dorëzojnë armët.
“Pala ruse garanton jetën e tyre dhe trajtimin e denjë në përputhje me aktet përkatëse ligjore ndërkombëtare”, tha ai. “Të gjithë të lënduarit do të marrin ndihmë të kualifikuar mjekësore”.
Komandantët ukrainas në terren kanë thënë se forcat ruse nuk i kanë respektuar marrëveshjet për hapjen e korridoreve humanitare apo zbatimin e armëpushimeve dhe kanë vazhduar të bombardojnë qytetin.
Sipas zyrtarëve ukrainas, qyteti port është shkatërruar pothuajse plotësisht nga javë të tëra të bombardimeve ruse dhe dhjetëra mijëra civilë ende presin evakuimin.
Në një deklaratë të enjten, zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk i kërkoi palës ruse të hapte një korridor evakuimi nga Azovstal. “Ka rreth 1000 civilë dhe 500 ushtarakë të plagosur atje tani” tha ajo./UBTNews/