Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se “dritare të reja mundësish po hapen” diku tjetër për eksportet e energjisë të vendit, ndërsa Perëndimi përballet me “një krizë të vërtetë energjetike”.
Gjatë një takimi virtual mbi zhvillimin e Arktikut, Putin tha se “refuzimi i një numri vendesh perëndimore për t’u përfshirë në bashkëpunim normal, përfshirë burimet energjetike ruse”, tashmë po “godet miliona evropianë” dhe “po reflektohej edhe në Shtetet e Bashkuara”.
“Sigurisht që edhe ne po hasim probleme, por për ne po hapen mundësi alternative, opsione, dritare të reja mundësish. Kështu që si për sa i përket naftës, gazit dhe qymyrit rus, ne mund të rrisim përdorimin e tyre në tregun e brendshëm, të stimulojmë përpunimin e thellë të lëndëve të para dhe gjithashtu të rrisim dërgesat tona të burimeve të energjisë në rajone të tjera të botës, ku ato janë me të vërtetë e nevojshme”./UBTNews/