UBT News

Putin: Sanksionet janë rrezik për mbarë botën, Rusia nuk ka humbur asgjë

Russian President Vladimir Putin attends a meeting with parliamentary leaders in Moscow, Russia July 7, 2022. Sputnik/Aleksey Nikolskyi/Kremlin via REUTERS ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE WAS PROVIDED BY A THIRD PARTY.

Presidenti rus, Vladimir Putin tha se sanksionet e Perëndimit ishin jetëshkurtër dhe përbëjnë rrezik për të gjithë botën, e cila sipas tij po kthehet gjithnjë e më shumë drejt Azisë.

Në një fjalim në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin Vladivostok në lindje të largët, Putin tha se Perëndimi ka minuar ekonominë globale me një përpjekje “agresive” për të imponuar dominimin e tij në botë. Por Putin tha se rajoni Azi-Paqësor është në epërsi.

Putin tha se Rusia kishte edhe më shumë mundësi për të hyrë në tregjet në Lindjen e Mesme dhe Iran, pas vendosjes së sanksioneve gjithëpërfshirëse perëndimore në përgjigje të fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

“Askush nuk do të fitojë duke izoluar Rusinë, është e pamundur”, tha presidenti rus.

Putin tha se është i sigurt se Rusia nuk ka humbur asgjë dhe nuk do të humbasë pas fillimit të ‘operacionit ushtarak’ në Ukrainë. Ai këmbënguli se Rusia në fakt nuk filloi asnjë operacion ushtarak, por po përpiqet t’i japë fund atyre që filluan në vitin 2014.

“Të gjitha lëvizjet tona kanë për qëllim forcimin e sovranitetit”, tha ai.

Ai gjithashtu paralajmëroi se Moska bëri gjithçka që mundi për të siguruar që Ukraina të arrijë të eksportojë grurë.

Ai tha se problemet në tregun global të ushqimit mund të intensifikohen dhe se një katastrofë humanitare po afrohet.

Putin tha se Rusia e nënshkroi marrëveshjen në korrik, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, me mirëkuptimin se do të ndihmonte në zbutjen e rritjes së çmimeve të ushqimeve në botën në zhvillim, por në vend të kësaj ishin vendet e pasura perëndimore që po përfitonin nga marrëveshja.

“Nëse e përjashtojmë Turqinë si një vend ndërmjetës, atëherë pothuajse i gjithë drithi i eksportuar nga Ukraina nuk dërgohet në vendet më të varfra në zhvillim, por në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Putin në forumin ekonomik në qytetin lindor të Vladivostok të mërkurën.

Putin tha se vetëm dy nga 87 anije, me 60 mijë ton produkte, shkuan në vendet e varfra, pasi ai akuzoi Perëndimin se vepron si shtete koloniale.

“Edhe një herë, vendet në zhvillim thjesht janë mashtruar dhe vazhdojnë të mashtrohen. Është e qartë se me këtë qasje, shkalla e problemeve ushqimore në botë vetëm do të rritet, gjë që mund të çojë në një katastrofë humanitare të paprecedentë”, tha ai.

Putin tha se ai do të shikojë kufizimin e destinacioneve për eksportet e grurit dhe ushqimeve të tjera dhe do të diskutojë idenë me presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan, i cili ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes për të zhbllokuar eksportet nga portet jugore të Ukrainës në korrik.

Disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, kanë thënë gjatë 24 orëve të fundit se Moska nuk është e kënaqur me kushtet e marrëveshjes dhe se Perëndimi nuk po i përmbush detyrimet e veta.

Moska thotë se i është premtuar heqja e disa sanksioneve logjistike për të cilat thotë se pengojnë eksportet e saj të produkteve bujqësore dhe plehrave, në këmbim të lehtësimit të bllokadës ushtarake në portet jugore të Ukrainës për të lejuar që ngarkesat ushqimore të largohen nga portet e saj. Lavrov tha të martën se nuk ka asnjë hap nga Perëndimi për të lehtësuar situatën./UBTNews/

Exit mobile version