Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar udhëheqësit e aleancës së NATO-s se nëse hiqen kufizimet e Ukrainës në përdorimin e raketave perëndimore me rreze më të gjatë veprimi do të konsiderohej një akt lufte.
“Kjo do të thotë se vendet e NATO-s – Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane – janë në luftë me Rusinë. Dhe nëse është kështu, atëherë, duke pasur parasysh ndryshimin në thelbin e konfliktit, ne do të marrim vendimet e duhura në përgjigje të kërcënimeve që do të na paraqiten”, u tha Putin gazetarëve të enjten.
Deklaratat e Putinit vijnë në periudhën kur aleatët e SHBA-së dhe NATO-s po synojnë t’ua lejojnë forcave ukrainase të përdorin sistemet e armëve me rreze të gjatë të ofruara nga Perëndimi për të goditur objektivat ushtarake ruse.
Gjatë vizitës së fundit në Kiev, sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken tha se Shtëpia e Bardhë po shqyrton heqjen e kufizimeve në përputhje me një ndryshim më të gjerë strategjik midis partnerëve të NATO-s.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, mbërriti në Uashington të premten për bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden, të cilat pritet të përqendrohen në përdorimin e armëve perëndimore kundër objektivave në Rusi./UBTNews/