UBT News

Putin për Afganistanin: Demokracia nuk mund të imponohet me forcë

Presidenti rus Vladimir Putin e ka quajtur “katastrofë” situatën në Afganistan që pasoi tërheqjen e trupave perëndimore, duke thënë të premten se demokracia nuk mund të imponohet me forcë.

Duke folur në një sesion plenar të Forumit Ekonomik Lindor, Putin tha se njerëzit kanë nevojë për demokraci, por kjo duhet të vijë tek ata në mënyrë të natyrshme.

Presidenti rus shtoi se Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit duhet të jenë përgjegjës për ruajtjen e rendit global.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit, duke përfshirë pesë anëtarët e përhershëm, duhet të jenë përgjegjës për rendin në botë”, tha Putin.

Putin, i cili tha se prania 20-vjeçare e Amerikës në Afganistan çoi vetëm në “tragjedi”, argumentoi se Rusia nuk ishte e interesuar në shpërbërjen e vendit të Azisë Jugore. Ai shtoi se shumë lëvizje radikale që aktualisht veprojnë në Afganistan përbëjnë një kërcënim për fqinjët dhe aleatët e Rusisë.

“Lëvizja talebane nuk është homogjene, edhe pse kryesisht përbëhet nga fiset pashtune. Përfaqësues të shumë organizatave të tjera, përfshirë ato radikale si Shteti Islamik, i ndaluar si organizatë terroriste në Rusi, janë të pranishëm në Afganistan. Shumë njerëz, përfshirë radikalët, u liruan nga burgjet”, tha presidenti gjatë forumit.

“Sa më shpejt talibanët të bashkohen me të ashtuquajturën familje të popujve të civilizuar, aq më e lehtë do të jetë të komunikosh, të kesh ndikim dhe të bësh pyetje”, shtoi ai.

Deklarata e presidentit rus pason atë të dy ditëve më parë, ku kritikoi SHBA-në për prezencën e Afganistanit.

Shtetet e Bashkuara përmbyllën në fund të gushtit luftën 20-vjeçare në Afganistan, e cila rezultoi në mbi 46 000 viktima dhe marrjen përfundimtare të pushtetit nga talebanët./a2

Exit mobile version