Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka kërcënuar kurrë atë apo Gjermaninë, pas pretendimeve të Boris Johnson se Putin e kërcënoi ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe me një sulm raketor.
“Putini nuk më kërcënoi mua as Gjermaninë” në bisedat telefonike që kancelari ka pasur me liderin rus, tha Scholz për gazetën gjermane Bild në një intervistë të botuar të dielën.
Në një dokumentar së fundi, Johnson zbuloi se Putini e kërcënoi atë në një telefonatë të gjatë në shkurt 2022 pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën. “Ai tha ‘Boris, unë nuk dua të të lëndoj, por me një raketë, do të më duhej vetëm një minutë’ – diçka e tillë”, tha Boris në dokumentar, duke iu referuar Putinit.
I pyetur në një intervistë nga gazeta Bild nëse Scholz kishte marrë gjithashtu kërcënime të ngjashme gjatë telefonatave me liderin rus, kancelari tha “jo”.
Në telefonatat e tij me Putinin, “Unë ia bëj shumë të qartë Putinit se Rusia ka përgjegjësinë e vetme për luftën”, tha Scholz. “Në bisedat tona telefonike, qëndrimet tona shumë të ndryshme për luftën në Ukrainë bëhen shumë të qarta”, tha ai.
Kancelari mohoi gjithashtu se vendimi i Gjermanisë për të dorëzuar tanket Leopard 2 në Ukrainë ishte një kërcënim për Rusinë./UBTNews/