Presidenti rus Vladimir Putin po izolohet pasi disa anëtarë të rrethit të tij të ngushtë u infektuan me Covid-19, por “është absolutisht i shëndetshëm dhe nuk e ka vetë sëmundjen”, kështu të paktën u deklarua nga Kremlini sot, transmeton UBT News.
Putin, 68 vjeç, nuk do të udhëtojë në Taxhikistan këtë javë për takimet e planifikuara të sigurisë rajonale. Megjithëse ai do të marrë pjesë me video konferencë.
Kremlini tha se Putini, në konsultim me mjekët, mori vendimin për t’u izoluar pasi ishte takuar me Presidentin sirian Bashar al-Assad në Kremlin të hënën.
Putin gjithashtu u takua me paralimpistët rusë dhe udhëtoi në Rusinë perëndimore të hënën për të vëzhguar stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë.
Vendimi i udhëheqësit të Kremlinit për t’u izoluar sugjeron një shkelje të mundshme në regjimin rigoroz të vendosur për të mbajtur Putinin të shëndetshëm dhe larg nga kushdo me Covid-19.
Për shembull vizitorëve të Kremlinit u është dashur të kalojnë nëpër tunele të veçanta dezinfektimi, gazetarët që marrin pjesë në ngjarjet e tij duhet t’i nënshtrohen testeve të shumta PCR, dhe njerëzve që takon u kërkohet të karantinohen paraprakisht dhe të testohen, përcjell UBT News.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Putin kishte qenë në kontakt me disa njerëz në rrethinën e tij të cilët ishin sëmurë me Covid-19.
“Sigurisht që ne e dimë se kush u sëmur në rrethin e presidentit dhe izolimi (regjimi) nuk ndikon drejtpërdrejt në punën e presidentit”, tha ai.
“Por është vetëm se takimet personale nuk do të zhvillohen për një kohë. Por kjo nuk ndikon në frekuencën e tyre dhe presidenti do të vazhdojë aktivitetin e tij përmes video -konferencave“.
I pyetur nëse presdidenti Putin kishte rezultuar negativ për Covid-19, ai u shpreh: “Sigurisht që po. Presidenti është absolutisht i shëndetshëm”./UBTNews