Presidenti rus, Vladimir Putin, i bëri thirrje ushtrisë ukrainase që ta rrëzojnë Qeverinë, liderët e së cilës ai i përshkroi si “terroristë” dhe “një bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh”.
Putin po ashtu akuzoi “nacionalistët ukrainas” për dislokimin e armëve të rënda në zonat e banuara në qytetet e mëdha, pasi sipas tij, me këto veprime ata po provokojnë ushtrinë ruse, një pretendim që rrit frikën se Moska po krijon pretekste për të justifikuar viktimat në mesin e civilëve.
Duke iu drejtuar ushtrisë ukrainase përmes një adresimi televiziv, Putin u bëri thirrje ushtarëve që të “marrin pushtetin në duart e tyre”.
“Duket se do të jetë më e lehtë për ne që të merremi vesh me ju sesa me këtë bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh”, tha ai duke iu referuar udhëheqjes në Kiev, që drejtohet nga presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili është hebre.
Putin, që të enjten urdhëroi trupat e tij të nisnin një operacion ndaj Ukrainës, pretendoi se “nacionalistët ukrainas” po përgatiten që të dislokojnë shumë raketahedhës në zonat e banuara të qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin dhe Karkivin.
Sipas tij, udhëheqja në Ukrainë po “vepron si terroristët në mbarë botën: ata po fshihen pas njerëzve me shpresë që ta fajësojnë Rusinë për viktimat civile”./REL