Presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për herë të parë në më shumë se dy vjet. Takimi do të mbahet më 24 tetor, teksa udhëheqësi rus po përballet me thirrjet nga aleatët e tij nga BRICS-i që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Takimi po ashtu zhvillohet në ditën e fundit të samitit të BRICS-it që po mbahet në qytetin rus në Kazan. Moska shpreson se ky forum do t’i ndihmojë që të krijojë një front të bashkuar të ekonomive në zhvillim kundër Perëndimit.
BRICS u formua më 2006, si koalicion mes katër vendeve: Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës. Afrika e Jugut u bashkua më 2010, e ndjekur nga Egjipti, Irani, Etiopia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe më 2024. Grupi synon bashkimin e vendeve më të mëdha që janë në zhvillim.
Putin dhe Guterres pritet të diskutojnë për pushtimin rus të Ukrainës – që udhëheqësi rus e nisi më 2022 – dhe për krizat në Lindjen e Mesme, tha Kremlini. Guterres vazhdimisht e ka kritikuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke thënë se vendos “një precedent të rrezikshëm” për botën.
Takimi i tyre i fundit ishte në javët e para pas nisjes së luftës, kur Guterres udhëtoi për në Moskë, teksa Rusia kishte rrethuar Mariupolin, në jug të Ukrainës.
Që atëherë, Guterres është përfshirë në përpjekjet për të arritur paqe mes dy palëve dhe kishte ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje që i lejoi Kievit të eksportonte në mënyrë të sigurt drithërat nga portet e tij më 2022. Por, që nga ajo kohë ka pasur pak kontakt të drejtpërdrejtë diplomatik mes Guterresit dhe Putinit.
Ukraina ka kritikuar ashpër vendimin e shefit të OKB-së për t’u takuar me Putinin. Putini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga territori në jug dhe lindje, si parakusht për një armëpushim, kërkesë që Kievi e ka cilësuar “absurd”. Po ashtu, takimi Putin-Guterres po zhvillohet në kohën kur forcat e Moskës po bëjnë përparim në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, duke iu afruar marrjes së qytetit kyç të Pokrovskut.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mijëra ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi, për atë që Perëndimi dhe Kievi druajnë se mund të shndërrohet në një dislokim të madh të trupave për të mbështetur Moskën. OKB-ja tha se Guterres planifikon të takohet me Putinin në Kazan, ku do të mbajë edhe një fjalim.
Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha Guterres do ta shfrytëzojë këtë takim për të “riafirmuar qëndrimin e tij, tashmë të ditur, për luftën në Ukrainë. Haq tha se shefi i OKB-së vazhdon të jetë i gatshëm të ndërmjetësojë, por po pret kur kushtet “të jenë të duhura”.
Ministria e Jashtme e Ukrainës duke reaguar për vizitën e Guterresit në Rusi, tha se ai do të takohet me “kriminelin Putin”./REL/