UBT News

Putin diskuton me Këshillin e Sigurimit të Rusisë për pranimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Presidenti rus, Vladimir Putin diskutoi perspektivat e pranimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO me Këshillin e Sigurimit të vendit, tha zëdhënësi i Kremlinit të premten.

“U zhvillua një shkëmbim pikëpamjesh mbi temën e vendimit të Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe kërcënimet e mundshme për sigurinë e Rusisë që lindin në këtë drejtim”, u tha Dmitry Peskov gazetarëve në Moskë.

Zëdhënësi shtoi se Putin foli gjithashtu me anëtarët e këshillit për takimin e ardhshëm të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të bllokut ushtarak të udhëhequr nga Rusia, që do të mbahet më 16 maj në Moskë.

Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shoygu i informoi pjesëmarrësit në lidhje me takimin për “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, tha Peskov.

I pyetur për evakuimin e njerëzve të rrethuar në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, Peskov tha se mundësia për t’u larguar në çdo drejtim ishte dhënë vetëm për civilët.

“Sa i përket ushtrisë, u tha se ata gjithashtu mund të largohen duke lënë armët, (pastaj) do të trajtohen në përputhje me rrethanat dhe të gjithë të plagosurve do t’u sigurohet ndihma e nevojshme mjekësore”, kujtoi Peskov.

Më parë, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Irina Vereshchuk tha se një raund i ri negociatash ka filluar rreth evakuimit nga Azovstal me pjesëmarrjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Vereshchuk tha gjithashtu se Turkiye do të ndërmjetësojë në raundin e tanishëm të negociatave dhe vetë evakuimi do të kryhet në disa faza, e para prej të cilave ka të bëjë me të plagosurit rëndë. Më 7 maj, ajo njoftoi se të gjithë civilët ishin evakuuar nga fabrika.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 3 mijë e 541 civilë janë vrarë dhe 3 mijë e 785 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt. Shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.

Më shumë se 6 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, me rreth 7.7 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët./UBTNews/

Exit mobile version