UBT News

Putin dënon sulmin ndaj Iranit, por nuk ofron mbështetje për aleatin kryesor

Presidenti rus, Vladimir Putin, e dënoi të hënën sulmin ndaj Iranit si “të paarsyeshëm” dhe “të paprovokuar” gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, por nuk shpalli asnjë mbështetje konkrete për aleatin kyç të Moskës në Lindjen e Mesme.

Moska është një aleate e rëndësishme e Iranit, por nuk ka dalë fuqishëm në mbështetje të Teheranit, ndonëse Shtetet e Bashkuara goditën fundjavën që lamë pas objektet bërthamore iraniane.

Ky agresion i paprovokuar ndaj Iranit është i pajustifikueshëm”, tha Putin në fillim të takimit.

Putin nuk i përmendi drejtpërdrejt sulmet amerikane, duke folur në mënyrë të përgjithshme për “goditje” ndaj Iranit, megjithëse Kremlini kishte deklaruar më herët të hënën se i dënonte dhe i vinte keq për sulmet e SHBA-së.

Ka një përshkallëzim të ri të tensioneve në rajon, dhe ne sigurisht e dënojmë këtë dhe shprehim keqardhje të thellë në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para se Putin të takonte Araghchin në Kremlin.

Putin është përpjekur të paraqitet si ndërmjetës mes Iranit dhe Izraelit – një ide që u hodh poshtë javën e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Araghchi i tha Putinit se Rusia ka qenë një “partnere dhe bashkudhëtare” e Iranit dhe vlerësoi marrëdhëniet mes Teheranit dhe Moskës si “shumë të ngushta dhe afatgjata”.

Irani po ushtron të drejtën legjitime për vetëmbrojtje ndaj këtyre agresioneve”, shtoi ai.

Serhiy Danylov, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme, tha për projektin e Radios Evropa e Lirë, Current Time, se në Iran po rritet zhgënjimi dhe pakënaqësia ndaj Rusisë – si brenda elitës politike, ashtu edhe në mesin e qytetarëve të zakonshëm.

Sipas tij, Rusia perceptohet si një vend që tregton interesat e Iranit, dhe ky perceptim është i saktë. Rusia shihet si tradhtare – një vend që bëri premtime, por nuk i përmbushi ato.

Tani, qartazi, iranianët do të kërkojnë, për shembull, municion për sistemin mbrojtës ajror Pantsir-S1, që e përdorin në mënyrë aktive, dhe që është një nga të paktat kapacitete që u kanë mbetur. Do të kërkojnë raketa për mbrojtje ajrore, apo pajisje të përgjithshme për mbrojtje nga ajri – por nuk do të marrin asgjë. Ndoshta ndonjë sasi municioni mund të mbërrijë përmes detit, por në përgjithësi, Rusia nuk mund të bëjë asgjë për Iranin tani. Në fakt, nuk besoj se ka ndonjë dëshirë të bëjë – sepse për Rusinë, marrëdhënia me Donald Trumpin është shumë më e rëndësishme sesa ajo me Iranin”, tha Danylov.

Që prej sulmeve izraelite më 13 qershor, të cilat nxitën një kundërpërgjigje iraniane me raketa dhe dronë, Rusia nuk ka ofruar publikisht ndihmë ushtarake për Teheranin.

Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë minimizuar, gjithashtu, rëndësinë e marrëveshjes së gjerë për partneritet strategjik, të nënshkruar muaj më parë me Iranin, duke theksuar se nuk është një pakt për mbrojtje të ndërsjellë.

“Rusia po bën përpjekje për të ndihmuar popullin iranian”, tha Putin gjatë takimit, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

I pyetur se çfarë mbështetjeje specifike mund të ofronte Rusia, Peskov tha për gazetarët: “Gjithçka varet nga nevojat e Iranit. Ne kemi ofruar shërbimet tona si ndërmjetës”.

Ai shtoi gjithashtu se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe mes Moskës dhe Uashingtonit, duke i quajtur ato “çështje të ndryshme”.

Putin tha javën e kaluar se Irani nuk ka kërkuar ndihmë nga Rusia./REL/

Exit mobile version