Një sindikatë që përfaqëson punëtorët e gjigantit të teknologjisë koreano-jugore, Samsung Electronics, u ka bërë thirrje rreth 30 mijë anëtarëve të saj që të dalin në grevë për një kohë të pacaktuar, në kuadër të fushatës së saj për paga dhe përfitime më të mira.
Njoftimi erdhi në ditën e fundit të grevës së përgjithshme tri ditore që po mbahet nga Unioni Kombëtar i Samsung Electronics (NSEU).
Sindikata tha se e ka marrë këtë vendim pasi menaxhmenti nuk shfaqi synimet për të zhvilluar bisedime lidhur me kërkesat e sindikatës.
NSEU, e cila përfaqëson gati një të katërtën e punëtorëve të Samsung Electronics në Korenë e Jugut, tha se veprimet e saj e kanë ndërprerë prodhimin. Samsung i ka kundërshtuar këto pretendime.
“Samsung Electronics do të sigurohet që të mos ketë ndërprerje në linjat e prodhimit. Kompania mbetet e përkushtuar për t’u angazhuar në negociata të mirëbesimit me sindikatat”, tha kompania për BBC News.
Megjithatë, sindikata tha: “Kompania nuk ka ndërmend të angazhohet në dialog as pas grevës së parë të përgjithshme, kështu që ne shpallim një grevë të dytë të përgjithshme duke filluar nga 10 korriku, me kohëzgjatje të pacaktuar”./UBTNews/