Punonjësit e administratës publike në Maqedoninë e Veriut kanë protestuar më 14 janar për kërkesën e tyre për rritjen e pagave. Ata kërkojnë miratimin e kontratave kolektive dhe një shtesë prej 30% në paga, për shkak të kushteve të vështira financiare, duke theksuar se paga mesatare në institucionet ku punojnë është nën nivelin mesatar të shtetit.
Sindikatat akuzojnë Ministrinë e Financave për mosmiratimin e këtyre kërkesave dhe theksojnë se ato janë bërë që prej katër vjetësh. Qeveria ka thënë se një rritje e tillë është përtej mundësive buxhetore, duke shtuar se buxheti i vitit 2025 ka rritje të shpenzimeve dhe të hyrave. Protestat do të vazhdojnë dhe do të përfshijnë një demonstratë përballë Ministrisë së Financave këtë të premte. Opozita e mbështet kërkesën e protestuesve dhe kërkon rritjen e pagave./UBTNews/