Punimi shkencor i profesorit të Fakultetit Stomatologji në UBT, Genc Demjaha, i realizuar në bashkëpunim me disa profesorë nga universitete të tjera, me titull: “Patient Satisfaction with Health Services at the Emergency Center of the University Clinic in Prishtina”, është publikuar në revistën e shkencave mjekësore “Prilozi”, e indeksuar në PubMed.
Në këtë studim, autorët kanë përpiluar dy pyetësorë: njëri është dizajnuar për t’iu adresuar pacientëve që kërkojnë shërbime shëndetësore në Qendrën Emergjente të Klinikës Universitare në Prishtinë, ndërsa pyetësori i dytë është hartuar për stafin e Qendrës Emergjente në mënyrë që të identifikojë marrëdhëniet ndërmjet punonjësve dhe stafit drejtues.
Rezultatet e këtij punimi tregojnë se shumica e pacientëve që vijnë në qendrën urgjente transportohen ose nga familjarët ose nga kalimtarët e rastit. Këta pacientë mund të pësojnë shumë lëndime të paqëllimshme nga transporti joadekuat dhe joprofesional. Për më tepër, vizitat e shumta që vijnë drejtpërdrejt nga vendi i aksidentit ose nga shtëpia tregojnë se ka probleme me sistemin e referimit nga nivelet e Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP).
Në linkun në vazhdim mund të gjeni punimin e plotë të profesorit të UBT-së, Genc Demjaha: “Patient Satisfaction with Health Services at the Emergency Center of the University Clinic in Prishtina”.