Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës do të protestojnë sot para ndërtesës së Kuvendit me kërkesë që t’iu rriten pagat.
Protesta do të nisë në orën 10:00. Paga e tyre është 275 euro, derisa kanë paralajmëruar për veprime sindikaliste dhe i kanë njoftuar grupet parlamentare për pakënaqësitë e tyre.
Për këtë çështje, deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Qeverinë, duke thënë se ka dështuar të ndryshojë pagën minimale. Ajo tha se Qeveria i ka dobësuar sindikatat dhe nuk po merret me çështje sociale.
“Pres nga deputeti Armend Muja që të ju adresohet protestuesve dhe t’i bindë se ‘ata i kanë pagat mjaftueshëm të larta, se atyre u janë rritë pagat së paku 200 euro në tri vitet e fundit vetëm se ata nuk po e dinë’. Qeveria e propagandës, ka dështu me me ndryshu pagën minimale, ka dobësu sindikatat dhe nuk është marrë me asnjë çështje sociale nëse kjo e fundit nuk ka rezultu direkt në votë e në përkrahje për LVV-në”, është shprehur Bajrami.
Ajo shtoi se Qeveria me mospunë dhe mosveprime i ka varfëruar qytetarët.