UBT News

Punëtorët teknik të QKUK-së protestojnë për mospërfshirje në listën e shtesave

Personeli teknik i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, sot protestuan para objektit të Administratës, duke bërë thirrje që të përfshihen në listen e përfituesve të shtesave prej 300 euro.

Kastriot Gjoshi, i punësuar në QKUK, konsideron se po diskriminohen. Gjoshi kërkoi trajtim të barabartë.

“Ne sot jemi mbledhur këtu për t’i mbrojtur të drejtat tona, pasi personeli mbështetës që jemi të punësuar në QKUK e ShSKUK kemi qenë të rrezikuar çdo ditë dhe nuk jemi përfitues të shumës prej 300 eurove. Jemi këtu për të shprehur pakënaqësinë lidhur me diskriminimin që po bënë menaxhmenti. Gjysma tjetër nuk bënë pa gjysmën tjetër, andaj na trajtoni të barabartë, që së bashku ta kalojmë COVID-19.”, tha Gjoshi.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, u premtoi punëtorëve teknik se do t’ua realizojë këtë kërkesë.

“”Ju e dini që Kosova ka përjetuar muaj të vështirë sa i përket menaxhimit të pandemisë. Dje kam pasur takime me disa përfaqësues të disa sektoreve që për momentin janë jashtë listës së pagesës shtesë. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të gjithë punonjësit të përfshihen në këtë skemë. Jemi në bashkëbisedim me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, që do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që të gjithë punonjësit të përfshihen në këtë pagesë prej 300 eurosh”, deklaroi Krasniqi./UBTNews

Exit mobile version