UBT News

Punëtorët e sektorit privat paralajmërojnë grevë për rritje pagash

Punëtorët e sektorit privat në Kosovë paralajmërojnë greva dhe protesta në rast se Qeveria e ardhshme nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje pagash. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka theksuar se kërkesa kryesore është trajtimi i barabartë i punëtorëve të kompanive private që punojnë për shtetin, duke marrë pagë të njëjtë si punëtorët që punojnë në institucionet shtetërore. Azemi e ka kritikuar qeverinë për rritjen e pagave vetëm në sektorin publik, duke theksuar se punëtorët e sektorit privat që kryejnë të njëjtën punë nuk mund të trajtohen ndryshe.

Ai ka shtuar se, për shkak të zgjedhjeve, grevat dhe protestat janë shtyrë për më vonë, por ka paralajmëruar se kërkesat do të mbeten këmbëngulëse, pavarësisht kushdo që vjen në krye të Qeverisë. Sindikata ka theksuar se sektori privat përbën një pjesë të madhe të forcës punëtore dhe është kontribuesi kryesor në ekonomi, por pagat e punëtorëve të këtij sektori nuk janë rritur në të njëjtën mënyrë si në sektorin publik.

Azemi gjithashtu ka ngritur shqetësime për moszbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale prej 350 eurosh, duke theksuar se në shumë raste, pagat e punëtorëve janë ende shumë më të ulëta, përfshirë raste në qendër të Prishtinës ku paga është vetëm 230 euro. Protestat dhe grevat pritet të fillojnë në mars nëse kërkesat e punëtorëve nuk merret parasysh./UBTNews/

Exit mobile version