UBT News

Punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë me grevën

Punëtorët e sektorit privat që punojnë në institucionet shëndetësore kanë vendosur të vazhdojnë grevën e tyre të nisur më 14 dhjetor.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një konferencë për medie. Ai ka paralajmëruar se pas së mërkurës do të ndryshojnë veprimet e tyre.

“Vendosëm që grevën ta vazhdojmë me të njëjtin intensitet. Kjo protestë do të vazhdojë deri të mërkurën, pas të mërkurës do të ndryshojmë veprimet tona dhe do të lajmërojmë Policinë e Kosovës. Ne do ta rrethojmë MSH-në, nëse edhe ky variant s’do të ketë sukses, të gjitha spitalet, ambullanta, nga tre punëtorë do të hyjmë në grevë urie”, deklaroi Azemi.

Ai ka thënë se në Pejë punëtorët janë penguar nga drejtoresha e Spitalit të mbajnë grevën.

“Gjatë javës që lëmë pas në Pejë, drejtoresha e Spitalit nuk i ka lënë brenda të mbajnë grevën punëtorët teknikë. Nëse nuk i merr inspektorati i punës veprimet e veta, ne duhet të veprojmë. Punëtori është i paprekshëm”, tha ai./EO

Exit mobile version