UBT News

Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë para Komunës së Prishtinës

Të hënën, punëtorët e ndërmarrjes regjionale “Pastrimi” kanë protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar shlyerjen e borxhit që kjo kompani pretendon se i detyrohet nga komuna.

Sipas përfaqësuesve të “Pastrimit”, borxhi arrin vlerën e 2.7 milionë eurove dhe po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e ndërmarrjes. “Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd” dhe “Na lë të punojmë” ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

Situata me mbeturinat në kryeqytet është përkeqësuar ditëve të fundit, ku shumë kontejnerë kanë mbetur të mbushur pa u zbrazur. Kjo gjendje ka pasuar përplasjet mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi”, për menaxhimin e shërbimeve të pastrimit.

Zyrtarë të komunës kanë deklaruar se kompania nuk ka kapacitetet e nevojshme për ta përmbushur këtë shërbim. Në anën tjetër, drejtuesit e “Pastrimit” theksojnë se mungesa e pagesave ka pamundësuar kryerjen e detyrave operacionale në mënyrë të rregullt.

Exit mobile version