Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë nisur sot grevën duke u mbledhur para ndërtesës së Komunës së Prishtinës. Kjo për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës së rëndë financiare në të cilën ndodhet ndërmarrja, për shkak të mos-shlyerjes së obligimeve nga Komuna.
Sindikata njoftoi se rreth 300 punëtorë dhe të punësuar janë pjesë e grevës paqësore, me rreth 20 kamionë të parkuar në mënyrë që të mos bllokohen rrugët emergjente.
“Pastrimi” ka ndalur shërbimin e grumbullimit të mbeturinave për shkak të një borxhi prej 2.7 milionë eurosh që pretendon se Komuna nuk ka paguar.
Komuna ka mohuar ekzistencën e këtij borxhi dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh. Ndërkohë, qyteti është mbushur me mbeturina dhe ka shqetësime për rreziqe shëndetësore. Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar situatën.