UBT News

Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” në ditën e pestë të grevës: Kërkojnë pagesën e borxhit prej 2.7 milionë euro nga Komuna e Prishtinës

Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” kanë hyrë në ditën e pestë të grevës, duke qëndruar ditë e natë në oborrin e Komunës së Prishtinës. Ata kërkojnë pagesën e borxhit prej 2.7 milionë euro që komuna i detyrohet ndërmarrjes.

Punëtori Ilaz Rexhepi tha se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete nga Komuna e Prishtinës, ndërsa situata financiare e ndërmarrjes është bërë kritike. Sipas tij, pagesa e pjesshme prej 1.5 milionë eurosh nuk është e mjaftueshme për të mbuluar as shpenzimet bazike.

Sot është dita e pestë e grevës. Kërkesat tona i keni të qarta. Ato nuk kanë ndryshuar. Këta nuk po e kuptojnë. Deri në plotësimin e kërkesës së fundit nga ana e Komunës ne nuk tërhiqemi, do të qëndrojmë këtu. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje përveç asaj 1.5 milionë, që nuk na mjafton as për shpenzime, sepse ajo është kontratë sipërfaqësore. Me atë kontratë ne nuk tërhiqemi. Atë 2.7 milionë borxh që na ka, ajo të na rimbursojë dhe dalim në punë menjëherë”, tha Rexhepi.

Ndërsa, nënkryetari i Sindikatës së Ndërmarrjes, Shpend Qosa, është shprehur se deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim me përfaqësues të Komunës së Prishtinës.

Sot kemi hyrë në ditën e pestë të grevës dhe sot nuk kemi pasur asnjë komunikim me komunën e as me njerëzit kompetentë. Greva do të vazhdojë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa të arrijmë qëllimet tona, të cilat janë të drejta dhe bazike. Nuk po kërkojmë diçka lëmoshë nga Komuna, përveç të drejtave tona dhe ato çka na takon. Në takim kemi qenë për ato kërkesa, nuk kemi pasur përkrahje të sinqertë, vetëm fjalë dhe kemi dalë pa asnjë marrëveshje. Durimi mund të humbë një ditë. Gjithmonë greva mund të radikalizohet, por gjithmonë duke ruajtur pronën publike. Bëj një lutje për kryetarin Përparim Rama që të bëjë një zgjidhje për ne punëtorët, të cilët tashmë prej datës 14 nuk kemi bërë shërbim shkaku i derivateve dhe realisht ne jemi pa punë. Sot mbetëm pa naftë, nesër pa pagë. Problemi është që 40 për qind e punëtorëve nuk kanë nga t’ia mbajnë. Nuk i merr askush në punë, sepse aty e kanë lënë jetën e tyre”, tha ai.

Exit mobile version