UBT News

Punëtorët e mirëmbajtjes së shkollave dhe QMF-ve protestojnë të premten, kërkojnë rritjen e pagave

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat do të protestojë të premten para objektit të komunës së Prishtinës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka konfirmuar se pas takimit me kryetarë të shoqatave sindikale të punëtorëve teknikë të disa shkollave të Prishtinës dhe QMF-ve është marrë vendim për protestë. Ai ka shtuar se po kërkojnë rritjen e pagave, ngase paga prej 230 euro për këta punëtorë është e pamjaftueshme.

Azemi shpreson se me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama do të gjendet një gjuhë e përbashkët sa u përket kërkesave të tyre.

“Të gjithë punëtorët e sektorit privat kompanive të cilat janë të kontraktura me komunën e Prishtinës që mbajnë mirëmbajtjen e shumë shkollave ne kemi bërë kërkesë të takohemi me kryetarin që paga e këtyre punëtorëve të rritet dhe kushtet të përmirësohen. Pagat e punëtorëve janë 230 euro, shumë të vogla dhe duhet të njoftojmë komunën se nuk mund të punojmë me këto paga. Ne po tërheqim vërejtjet tona me protestë tona dhe sigurisht është vetëm nismë dhe shpresojmë të kemi gjuhë të përbashkët dhe besoj se do të na kuptojnë sepse nëse shkojmë në heshtje do të mbesim pa punëtorë”, deklaroi ai.

Exit mobile version